E drejta e ankimit

Ankimi dhe mbrojtja e të drejtave të tatimpaguesit

Të drejtat e tatimpaguesit

Tatimpaguesi, në ushtrimin e të drejtave të tij, ka të drejtë të kërkojë rishikimin ose kundërshtimin e veprimeve, vendimeve apo akteve administrative tatimore, kur vlerëson se ato nuk janë në përputhje me legjislacionin tatimor ose cenojnë të drejtat dhe interesat e tij të ligjshme. Legjislacioni parashikon mekanizma dhe struktura të ndryshme për ushtrimin e kësaj të drejte, në varësi të natyrës së çështjes dhe fazës së procedurës.

Tatimpaguesi mund të kërkojë ndërmjetësimin e Avokatit të Tatimpaguesve, të ushtrojë të drejtën e ankimit administrativ pranë Drejtorisë së Apelimit Tatimor/Komizionit te Shqyrtimit te Apelimeve Tatimore, si dhe, sipas rasteve dhe kushteve të parashikuara në legjislacion, të ndjekë rrugën gjyqësore.

Drejtoria e Apelimit Tatimor

Drejtoria e Apelimit Tatimor është struktura kompetente për shqyrtimin e ankimeve administrative të tatimpaguesve ndaj akteve administrative tatimore, në përputhje me procedurat dhe afatet e përcaktuara në legjislacionin tatimor. Ajo shqyrton pretendimet e tatimpaguesit dhe merr vendim mbi ankimin, duke garantuar zbatimin e procedurave administrative dhe të drejtën e tatimpaguesit për një shqyrtim të paanshëm të çështjes. Vendimet e Drejtorisë së Apelimit Tatimor janë të detyrueshme për zbatim nga administrata tatimore.

Komisioni per Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore

Ne rastin e ankimimeve me vlere mbi 20.000.000 (njezet milione) leke, kompetencen ligjore per shqyrtim e ka Komisioni për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore, cili përbëhet nga 7 anëtarë me përfaqësim të gjerë institucional: tre nga Ministria e Financave, dy nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtori i Apelimit Tatimor dhe një përfaqësues nga Avokatura e Shtetit. Kjo përbërje synon të garantojë një vendimmarrje të balancuar, transparente dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor në fuqi.

Ankimi pranë Drejtorisë së Apelimit Tatimor apo Komisionit per Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore, duhet të paraqitet brenda 30 ditëve kalendarike nga data kur akti administrativ është marrë ose vlerësohet të jetë marrë në dijeni nga tatimpaguesi.

Përpara paraqitjes së ankimit, tatimpaguesi duhet të paguajë detyrimin tatimor objekt ankimi ose, në vend të pagesës, të vendosë garanci bankare për detyrimin përkatës. Kamatëvonesat dhe gjobat nuk parapaguhen dhe nuk përfshihen në garancinë bankare.
Paraqitja e aktit administrativ dhe pageses se detyrimit apo garancise bankare, nga tatimpaguesi, jane kusht i domosdoshem per marrjen ne shqyrtim te ankimimit nga  Drejtoria e Apelimit Tatimor apo Komisioni i Shqyrtimit te Apelimeve Tatimore.

Ankimi mund të dorëzohet drejtpërdrejt pranë Drejtorisë së Apelimit Tatimor ose të dërgohet me rrugë postare në adresën:

Drejtoria e Apelimit Tatimor

Ministria e Financave

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 3, 1001, Tiranë

Drejtoria e Apelimit Tatimor apo Komisioni per Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore kane detyrimin të shprehen me një vendim të arsyetuar brenda një afati prej 60 ditësh nga data e protokollimit zyrtar të ankimit.

Gjykata Administrative

Tatimpaguesi ka të drejtë të kundërshtojë në Gjykatën Administrative te juridiksionit, vendimin e Drejtorisë së Apelimit Tatimor/ Komisionit per Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore, sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi. Padia ndaj vendimit të Drejtorisë së Apelimit Tatimor paraqitet brenda 30 ditëve kalendarike nga data e marrjes dijeni për vendimin.

Nëse Drejtoria e Apelimit Tatimor/ Komisioni per Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore, nuk shprehet me vendim brenda 60 ditëve nga data e marrjes së ankimit, tatimpaguesi ka të drejtë t’i drejtohet drejtpërdrejt gjykatës, në përputhje me legjislacionin përkatës.

E-Filing