Rimbursimi i individëve për DIVA

Rimbursimi i tatimit të paguar tepër – DIVA/DVAP

Çfarë është rimbursimi për DIVA/DVAP?

Rimbursimi nga Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave (DIVA), e cila sipas legjislacionit aktual emërtohet Deklarata Vjetore e të Ardhurave Personale (DVAP), është kthimi i shumës së tatimit të paguar tepër nga individi, kur pas plotësimit dhe dorëzimit të deklaratës rezulton një tepricë kreditore.

Kush mund të përfitojë rimbursim?

Mund të përfitojë rimbursim individi që ka dorëzuar deklaratën përkatëse dhe nga përllogaritja e saj rezulton tepricë kreditore/mbipagesë. Rimbursimi mund të lidhet, përveç zbritjeve për fëmijët në ngarkim dhe shpenzimeve arsimore, edhe me tatimin e paguar më tepër për të ardhurat nga punësimi etj., kur individi plotëson kushtet e përcaktuara në legjislacionin për tatimin mbi të ardhurat.

Vetëm plotësimi i rubrikave për fëmijët ose shpenzimet arsimore, apo teprica në rubrika të veçanta të deklaratës, nuk garanton rimbursim: deklarata duhet të rezultojë me tepricë kreditore dhe duhet të plotësohen kushtet ligjore përkatëse.

Si aplikohet për rimbursim?

Aplikimi për rimbursim kryhet elektronikisht në sistemin e-Filing, sipas hapave të mëposhtëm:

  • Hapi I: Individi hyn në llogarinë personale në e-Filing, plotëson deklaratën për vitin përkatës dhe e dorëzon atë. Kujdes! Duhet të kontrollohet që të dhënat e të ardhurave, të tatimit të paguar dhe të zbritjeve të jenë të sakta.
  • Hapi II: Verifikon rezultatin e deklaratës. Nëse pas përllogaritjes deklarata rezulton me tepricë kreditore/mbipagesë, mund të vijojë me kërkesën për rimbursim.
  • Hapi III: Plotëson të dhënat e llogarisë bankare në menunë “e-Filing Im – Profili im – Detajet e bankës”. Kujdes! Të dhënat e llogarisë bankare duhet të plotësohen për llogari personale, aktive dhe në monedhën lekë.

    Udhëzues për plotësimin e llogarive bankare
  • Hapi IV: Në modulin “Çështjet e mia”:

    • krijon një çështje të re, duke zgjedhur kategorinë “Pyetje e përgjithshme”. Në tekstin e kërkesës duhet specifikuar se bëhet fjalë për kërkesë për rimbursim të tatimit të paguar tepër nga DIVA/DVAP;
    • bashkëlidh dokumentacionin e nevojshëm për shqyrtimin e kërkesës, sipas rastit;
    • përfundon çështjen;
    • ndjek komunikimin me Administratën Tatimore, duke kontrolluar llogarinë në e-Filing për njoftime ose kërkesa për informacion/dokumentacion shtesë.

Dokumentacioni që duhet të bashkëlidhet sipas rastit

  • dokument me të dhënat e llogarisë personale bankare, ku do të kryhet rimbursimi;
  • certifikata familjare, kur kërkesa lidhet me fëmijët në ngarkim;
  • dokumentacioni justifikues për shpenzimet arsimore;
  • dokumente të tjera mbështetëse, nëse kërkohen për verifikimin e të dhënave të deklaruara.

Shqyrtimi i kërkesës

Administrata Tatimore shqyrton deklaratën, tepricën kreditore dhe dokumentacionin e paraqitur. Kërkesa mund të mos pranohet kur deklarata nuk rezulton me mbipagesë, dokumentacioni është i paplotë ose i pasaktë, apo shpenzimet e pretenduara nuk plotësojnë kushtet ligjore ose nuk janë deklaruar në DIVA/DVAP. Nëse nevojiten sqarime apo dokumente shtesë, individi duhet t’i paraqesë ato nëpërmjet kanalit elektronik përkatës.

Kujdes

  • Rimbursimi kryhet vetëm kur deklarata rezulton me tepricë kreditore dhe plotësohen kushtet ligjore.
  • Të dhënat e deklaruara duhet të jenë të sakta dhe të mbështetura me dokumentacion.
  • Nëse konstatohen pasaktësi pas dorëzimit, deklarata mund të korrigjohet brenda afateve dhe sipas procedurave ligjore.

Baza ligjore

Procedura mbështetet në ligjin nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij, si dhe në dispozitat përkatëse të legjislacionit për procedurat tatimore.

E-Filing