Ndryshon pragu i regjistrimit të detyrueshëm në TVSH

Publikuar më Të rejat e fundit
Ndryshon pragu i regjistrimit të detyrueshëm në TVSH

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informon tatimpaguesit se, në zbatim të VKM nr. 822, datë 28.10.2026, pragu i regjistrimit të detyrueshëm në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar ndryshon nga 10,000,000 lekë në 5,000,000 lekë qarkullim vjetor. 

Ky ndryshim hyn në fuqi më datë 1 janar 2027. 

Kush preket nga ky ndryshim? 

Në zbatim të pragut të ri, të gjithë tatimpaguesit të cilët gjatë vitit 2026 kanë realizuar një qarkullim mbi 5,000,000 lekë do të përfshihen në skemën e TVSH-së. 

Regjistrimi i tyre në TVSH do të kryhet automatikisht nga Administrata Tatimore, pa qenë e nevojshme që tatimpaguesit të paraqesin një kërkesë të veçantë për regjistrim. 

Ky detyrim përfshin të gjithë tatimpaguesit që kanë tejkaluar pragun prej 5,000,000 lekësh, pavarësisht vlerës së tejkalimit, edhe në rastet kur qarkullimi i realizuar është vetëm 1 lek mbi këtë prag. 

Çfarë duhet të bëjnë tatimpaguesit që preken nga ky ndryshim? 

Për të garantuar një kalim sa më të lehtë dhe korrekt në skemën e TVSH-së, tatimpaguesit që do të regjistrohen automatikisht në TVSH duhet të marrin masat e mëposhtme: 

  1. Dorëzimi i inventarit të mallrave

Tatimpaguesit duhet të përgatisin dhe të dorëzojnë inventarin e mallrave për rishitje, në gjendje në datën 31.12.2026, sipas kërkesave dhe afateve të përcaktuara nga Administrata Tatimore. 

Në inventar duhet të pasqyrohen mallrat që disponohen në gjendje në datën e mësipërme, duke përfshirë të dhënat identifikuese, sasitë dhe vlerat përkatëse. 

  1. E drejta e kreditimit të TVSH-së për inventarin

Tatimpaguesit duhet të kenë parasysh se e drejta e kreditimit të TVSH-së për mallrat e gjendjes në inventar në datën 31.12.2026 do të lejohet vetëm për mallrat e blera brenda 12 muajve të fundit, për të cilat është paguar TVSH dhe disponohet dokumentacioni tatimor justifikues, në përputhje me kushtet dhe kriteret e legjislacionit në fuqi. 

Për këtë arsye, për të përgatitur saktë inventarin, rekomandohet që tatimpaguesit të sigurojnë faturat e blerjes, të cilat mund t’i ketë të ruajtura në format letër apo t’i shkarkojnë nga portali Selfcare). 

  1. Pajisja me certifikatë elektronike dhe zgjidhje software-ike

Tatimpaguesit, që aktualisht përdorin platformën SelfCare për lëshimin e faturave dhe nuk disponojnë një zgjidhje software-ike të certifikuar për faturimin, duhet të marrin masat për t’u pajisur me certifikatë elektronike dhe zgjidhjen software-ike përkatëse, në përputhje me kërkesat ligjore për fiskalizimin dhe faturimin. 

  1. Përditësimi i zgjidhjes software-ike ekzistuese

Tatimpaguesit që disponojnë tashmë një zgjidhje software-ike për faturimin duhet të kontaktojnë ofruesin e saj, për të kryer përditësimet e nevojshme, në mënyrë që sistemi të mundësojë lëshimin e faturave me TVSH dhe pasqyrimin e saktë të të dhënave tatimore, sipas statusit të ri të regjistrimit. 

Ky proces duhet të përfundojë përpara fillimit të zbatimit të detyrimeve të TVSH-së.

E-Filing