Administrata Tatimore: Deklaroni saktë shitjen dhe dhurimin e kuotave/aksioneve për të shmangur rivlerësimet e transaksioneve dhe penalitetet
Administrata Tatimore njofton tatimpaguesit që kryejnë shitje apo dhurime të kuotave ose aksioneve në shoqëri tregtare të tregojnë kujdes në përcaktimin dhe deklarimin e vlerës së shitjes së këtyre transaksioneve.
“Në përputhje me Udhëzimin nr. 26, datë 08.09.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, pika 15 “Të ardhurat nga investimet”, në rast se çmimi i deklaruar në transaksion nuk pasqyron vlerën reale të tregut, Administrata Tatimore ka të drejtë të kryejë rivlerësimin e transaksionit për qëllime tatimore, bazuar në të dhënat dhe analizën e tregut.”
Administrata Tatimore disponon të dhëna mbi transaksionet e shitjes së kuotave dhe aksioneve të realizuara gjatë viteve të fundit dhe, në këtë kuadër, inkurajon tatimpaguesit që të sigurohen se:
- vlera e deklaruar e shitjes në transaksionet e tjetërsimit të kuotave/aksioneve është në përputhje me vlerën reale të tregut;
- të ardhurat e përfituara nga shitja të deklarohen saktë në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA).
Deklarimi i saktë i këtyre transaksioneve kontribuon në përmbushjen korrekte të detyrimeve tatimore dhe shmang penalitetet apo rivlerësimet për qëllime tatimore.
