Administrata Tatimore Qendrore

Rreth Administratës Tatimore Qendrore

Misioni

Misioni i Administratës Tatimore është mbledhja e të ardhurave tatimore, përmes procedurave të thjeshta, transparente dhe efikase, duke garantuar zbatimin e drejtë dhe të njëtrajtshëm të legjislacionit tatimor, në funksion të financimit të buxhetit të shtetit.

Për përmbushjen e këtij misioni, Administrata Tatimore mbështet qytetarët dhe bizneset përmes shërbimeve cilësore, informacionit të qartë dhe asistencës së vazhdueshme, duke lehtësuar përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore.

Në zbatim të përgjegjësive të saj ligjore, Administrata Tatimore monitoron dhe vlerëson përmbushjen e detyrimeve tatimore, si dhe ndërmerr masat e parashikuara nga legjislacioni në rastet e shkeljeve, duke garantuar trajtim të drejtë, të paanshëm dhe të barabartë për çdo tatimpagues.

Administrata Tatimore kontribuon gjithashtu në hartimin dhe përmirësimin e politikave tatimore, përmes analizave, raportimit periodik dhe ofrimit të ekspertizës profesionale, në mbështetje të vendimmarrjes së institucioneve përgjegjëse.

Vizioni

Vizioni ynë është që Administrata Tatimore shqiptare të jetë një institucion modern, profesional dhe i besueshëm, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të administrimit tatimor, i orientuar drejt shërbimeve cilësore, transparencës dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

  • Një institucion në shërbim të tatimpaguesve, që ofron shërbime tatimore cilësore, të thjeshta dhe lehtësisht të aksesueshme, nxit ndërgjegjësimin dhe përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore, duke synuar reduktimin e barrës administrative për qytetarët dhe bizneset.
  • Një administratë e drejtë dhe efikase, që garanton zbatimin e paanshëm të legjislacionit tatimor, forcon mekanizmat e monitorimit dhe kontrollit, si dhe lufton informalitetin dhe evazionin fiskal, në mbrojtje të të ardhurave publike dhe konkurrencës së ndershme.
  • Një institucion modern dhe i hapur ndaj zhvillimit, që përshtatet me ndryshimet ekonomike dhe shoqërore, përqafon transformimin digjital dhe teknologjitë bashkëkohore, si dhe forcon bashkëpunimin me komunitetin e biznesit, shoqërinë civile, administratat tatimore të vendeve të tjera dhe organizatat ndërkombëtare.
  • * Një administratë profesionale dhe në përmirësim të vazhdueshëm, që investon në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, forcimin e integritetit institucional dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve, për të përmbushur me përgjegjshmëri dhe efikasitet misionin e saj..

Vlerat

Vlerat tona janë themeli i një administrimi tatimor të drejtë, transparent dhe profesional. Ato forcojnë besimin dhe mbështetjen e komunitetit të tatimpaguesve, duke udhëhequr mënyrën se si përmbushim përgjegjësitë tona institucionale.

Te besimi i tatimpaguesve

Ne forcojmë besimin e komunitetit të tatimpaguesve përmes rritjes së profesionalizmit, transparencës dhe reagimit ndaj shqetësimeve të tyre. Angazhohemi për trajtim të drejtë, të barabartë dhe të ndershëm, duke ruajtur standarde të larta të integritetit moral dhe duke nxitur një kulturë respekti të ndërsjellë.

Te zbatimi i normave të etikës dhe të luftës kundër korrupsionit

Ne zbatojmë legjislacionin në përputhje me standardet e etikës profesionale dhe parimin e tolerancës zero ndaj korrupsionit. Përmes një administrimi të drejtë, të paanshëm dhe të përgjegjshëm, synojmë të garantojmë siguri dhe besim për çdo tatimpagues.

Te mbështetja te tatimpaguesit

Ne mbështetemi te tatimpaguesit, profesionistët e fushës së financave dhe tatimeve, si dhe ndërmjetësit e tjerë të zbatimit të ligjit, të cilët veprojnë me përgjegjshmëri dhe korrektësi. Përmes konsultimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm, nxisim përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore dhe forcimin e marrëdhënies së besimit të ndërsjellë.

Te raportimi

Ne garantojmë transparencë në raportimin e veprimtarisë sonë dhe vlerësojmë mendimet e publikut për çështjet që lidhen me menaxhimin e riskut. Dëgjojmë dhe reagojmë ndaj sugjerimeve dhe shqetësimeve të tatimpaguesve, duke synuar përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve, rritjen e njohurive mbi detyrimet ligjore dhe uljen e kostove administrative si për bizneset, ashtu edhe për Administratën Tatimore.

Jetëshkrime

Drejtori i Përgjithshëm

Ilir Binaj

Drejtor i Përgjithshëm i DPT-së

Ilir Binaj është lindur në Durres në 23 Shkurt 1976. Prej muajit Tetor 2024, z. Binaj mban detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.

Përpara kësaj detyre Z. Binaj ka pasur një eksperiencë të gjatë në fushën e auditimit dhe taksave ku për më shumë se 15 vite ka mbajtur pozicione si Drejtues në kompani të ndryshme ndërkombëtare.

Z. Binaj është i Çertifikuar si Auditues Publik në Kaliforni (CPA), si Kontabilist i Çertifikuar Global i Menaxhimit (CGMA) në Mbretërinë e Bashkuar, dhe si Auditues Ligjor në Shqipëri.

Studimet e larta z. Binaj i kreu në Universitetin e Tiranës, Fakultetin Ekonomisë, në degën Financë në vitin 2002, ndërsa studimet Master i kreu në “Business Administration” në Universitetin e Dallas Baptist, SHBA në vitin 2009.

Gjithashtu Z. Binaj zotëron një Diplomë Master Profesional për Kontabilitet dhe Taksa nga Universiteti i Teksasit.

Z. Binaj është anëtar i Institutit Amerikan të Kontabilistit Publik të Certifikuar (AICPA) i Certifikuar për shërbime të zbulimit të mashtrimit financiar dhe vlerësimit të bizneseve.

Mesazh nga Drejtori i Përgjithshëm për Raportin Vjetor 2025

Administrata Tatimore (AT) paraqet Raportin Vjetor për Vitin Fiskal 2025, i cili ofron një vlerësim të performancës dhe tregon se si po i përdorim burimet që na janë besuar për t’i shërbyer tatimpaguesve.

Për të mbështetur progresin e ekonomisë shqiptare dhe udhëtimin tonë drejt integrimit në BE, fokusi ynë për vitin 2025 u përqendrua në katër prioritete kryesore, të cilat bazohen në objektivat tona të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, në përputhje me kërkesat e anëtarësimit në BE dhe rekomandimet e FMN-së.

Katër prioritetet kryesore

Integrimi në Bashkimin Evropian (EU-Integration)

Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian kërkon një Administratë Tatimore të gatshme, jo vetëm nga ana teknike, por edhe institucionale dhe ligjore. Në këtë kuadër, AT po ndërmerr hapa konkretë për të harmonizuar legjislacionin tatimor vendas me acquis të BE-së në kuadër të Kapitullit 16, duke shkëmbyer eksperiencat më të mira me administratat tatimore homologe dhe duke përmbushur detyrimet raportuese në kuadër të Planit të Përmbushjes.

Modernizimi Digjital dhe Përmirësimi i Shërbimit ndaj Tatimpaguesve

Qëllimi ynë është të krijojmë një përvojë dixhitale sa më të thjeshtë për tatimpaguesit. Kjo përfshin një zgjerim të vazhdueshëm të shërbimeve tona e-Albania dhe e-Tax për tatimpaguesit, të cilët mund t’i përfitojnë këto shërbime në mënyrë efikase dhe të sigurt, si dhe përmirësimin e udhëzimeve dhe materialeve informuese. Ndërsa shërbimet dixhitale janë prioritet, nivelet tona të shërbimit për vitin 2025 dëshmuan angazhimin tonë për të ofruar shërbime të personalizuara përmes telefonit dhe sy më sy për çdo tatimpagues që ka nevojë ose preferon këtë mënyrë komunikimi.

Rritja e Efikasitetit të Analizës së Riskut dhe Kontrolleve

Administrata Tatimore po përdor inteligjencën artificiale dhe analiza të avancuara për të identifikuar me saktësi më të madhe sektorët me risk të lartë të mospërputhshmërisë dhe evazionit fiskal. Duke modernizuar sistemet e informacionit dhe duke përdorur të dhënat e përfituara nga platformat dixhitale, AT ka mundësi për të zbuluar deklarimet e pasakta me lehtësi. Falë kësaj qasjeje të bazuar në analizë të thelluar dhe të dhëna, inspektorët tatimorë mund të përqendrojnë punën e tyre ndaj sektorëve me vlera të larta të shmangies tatimore.

Mbrojtja e të Dhënave të Tatimpaguesve

Mbrojtja e të dhënave konfidenciale të tatimpaguesve është themelore. Ne po forcojmë vazhdimisht sistemet tona të sigurisë dhe po zbatojmë protokolle më rigoroze të shkëmbimit të informacionit për të siguruar që të dhënat e tatimpaguesve të jenë sa më të mbrojtura.


Administrata Tatimore është në një moment transformimi. Ne po automatizojmë operacionet tona, duke përdorur teknologji të reja dhe duke nxitur një kulturë efikase dhe llogaridhënie që na përgatit për integrimin në BE. Vazhdojmë të investojmë në burimet tona njerëzore për t’i shërbyer më mirë qytetarëve shqiptarë në një mjedis dixhital gjithnjë në ndryshim.

Rezultatet e vitit 2025

Rezultatet e kësaj qasjeje janë të qarta: në vitin 2025, AT mblodhi më shumë se 4.7 miliardë euro në të ardhura (11.8% më shumë se viti i mëparshëm), dhe kreu rimbursime të TVSH-së me vlerë rreth 262 milionë euro (13% më shumë se viti i mëparshëm). Këto shifra pasqyrojnë jo vetëm forcën e ekonomisë shqiptare, por edhe aftësinë dhe përkushtimin e punonjësve tanë në përmbushjen e përgjegjësive të tyre ligjore.

Në vitin 2025, AT mblodhi më shumë se 4.7 miliardë euro në të ardhura (+11.8%) dhe kreu rimbursime të TVSH-së me vlerë rreth 262 milionë euro (+13%).

Kjo qasje u demonstrua edhe në sezonin e fundit të dorëzimit të deklaratave për vitin 2025, që përfundoi më 31 mars 2026, ku 320,000 deklarata të tatimit mbi të ardhurat personale dhe të korporatave u dorëzuan sipas kërkesave të ligjit të tatimit mbi të ardhurat, duke rezultuar në një nga sezonet më të suksesshme ndër vite në drejtim të edukimit dhe informimit të tatimpaguesve, shërbimeve, mbështetjes teknike dhe mbledhjes së të ardhurave. Për herë të parë, u zbatua para-plotësimi për deklaratat e tatimit mbi të ardhurat personale, që kurseu mijëra orë për tatimpaguesit.

Këto nuk janë thjesht statistika, ato përfaqësojnë mijëra tatimpagues që morën asistencë të shpejtë dhe efikase pa frustrimin e vonesave të gjata. Kanë mbetur vetëm pak procese në letër dhe ne po marrim hapa të rëndësishëm për të eliminuar plotësisht këtë barrë për ne dhe për tatimpaguesit. Nëpërmjet automatizimit dhe ristrukturimit të proceseve jemi të fokusar në dhënien e një shërbimi më efikas dhe modern.

Jam i nderuar që drejtoj këtë Institucion dhe jam i bindur se po ndërtojmë një Administratë Tatimore për të cilën çdo qytetar mund t’i besojë se do të përmbush misionin e saj.

Me respekt

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve

Ilir BINAJ

RAPORT VJETOR 2025

Struktura organizative

Administrata Tatimore Qëndrore bazuar në Ligjin nr.9920 datë 19.05.2008 “Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, përbëhet nga:

  • Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve
  • Drejtoritë Rajonale Tatimore dhe njësitë e tjera të saj

Administrata Tatimore është institucion qendror, në varësi të Ministrit të Financave. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është autoriteti tatimor qendror i vetëm në Republikën e Shqipërisë, që zbaton dhe administron tatimet kombëtare, pagesat publike dhe mbledhjen e kontributeve.

Drejtoria Rajonale Tatimore varet nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.

Funksionet e Administratës Tatimore

  • Shërbimi dhe edukimi i tatimpaguesve
  • Kontrolli tatimor
  • Mbledhja e detyrimeve tatimore dhe zbatimi i masave shtrënguese
  • Hetimi tatimor
  • Funksionet mbështetëse
  • Investigimi i brendshëm
  • Rimbursimi tatimor
  • Informimi i tatimpaguesve

Dokumenta ndihmëse

Shkarko Shiko Emri i dokumentit


Shkarko


Shiko

Organigrama e DPT-së



Shkarko


Shiko

Rregullore për Funksionimin e DPT

E-Filing