Administrata Tatimore është e angazhuar maksimalisht në ushtrimin e detyrave të saj funksionale në përputhje të plotë me ligjin organik dhe dispozitat ligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve garanton çdo tatimpagues se të dhënat e tij tatimore apo personale të administruara prej saj do të trajtohen në përputhje të plotë me ligjin, konform parashikimeve të neneve 24 dhe 25 të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe Ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, i ndryshuar.
Parimet e mbrojtjes së të dhënave
Mbrojtja e të dhënave personale të tatimpaguesve bazohet në:
- Përpunimin në mënyrë të ndershme, të drejtë dhe të ligjshme të informacionit tatimor.
- Grumbullimin për qëllime specifike, të përcaktuara qartë e legjitime dhe përpunimin në përputhje me këto qëllime të të dhënave tatimore.
- Saktësinë faktike dhe, kur është e nevojshme, përditësimin e të dhënave, duke siguruar që të dhënat e pasakta të fshihen ose të ndryshohen.
- Mbajtjen e të dhënave në atë formë që lejon identifikimin e subjekteve vetëm për aq kohë sa është e nevojshme për qëllimin e grumbullimit ose përpunimit.
Dhënia e informacionit tatimor nga administrata tatimore
Informacioni tatimor për tatimpaguesin, i administruar nga administrata tatimore, u ofrohet pa pagesë autoriteteve të përcaktuara në këtë nen, pas depozitimit të kërkesës me shkrim dhe kur verifikohen rrethanat e mëposhtme:
- Gjyqtarit, nëse është në gjykim ose në hetim të një çështjeje civile të lidhur me një tatimpagues, për pjesën që u takon marrëdhënieve të tij me administratën tatimore.
- Gjyqtarit apo prokurorit, nëse është në gjykim ose në hetim të një çështjeje penale të lidhur me një tatimpagues.
- Kontrollit të Lartë të Shtetit, vetëm për rastet kur kërkesa është në funksion të kontrollit të kryer ndaj administratës tatimore.
- Autoritetit të ngjashëm të huaj, me të cilin Kuvendi ka ratifikuar marrëveshje ndërkombëtare.
- Autoritetit homolog të huaj ose autoriteteve vendase me të cilat Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.
- Institucioneve të pavarura, të krijuara me ligj.
- Çdo autoriteti tjetër, sipas një ligji të veçantë.
Konfidencialiteti
- Nëpunësit dhe punonjësit e administratës tatimore qendrore dhe vendore ruajnë konfidencialitetin e të dhënave tatimore dhe financiare të tatimpaguesit që kanë siguruar gjatë kryerjes së detyrës.
- Detyrimi për ruajtjen e konfidencialitetit vazhdon edhe pasi nëpunësi ose punonjësi nuk është më i punësuar pranë administratës tatimore.
- Informacioni i lidhur me tatimpaguesin përdoret brenda administratës tatimore vetëm në masën e kërkuar për administrimin e tatimeve.
- Kushti i ruajtjes së konfidencialitetit përfundon kur tatimpaguesi heq dorë me shkrim nga kjo e drejtë, në masën e lejuar.
- Shkëmbimi i informacionit bëhet me kushtin e ruajtjes së konfidencialitetit për institucionet dhe individët që marrin dijeni për të dhënat tatimore. Administrata tatimore është përgjegjëse për zbatimin e këtyre kërkesave në të gjitha përpunimet e të dhënave.