OJF-të
Organizatat Jo-Fitimprurëse (OJF-të) janë subjekte juridike të themeluara sipas Ligjit nr. 8788/2001, “Për organizatat jofitimprurëse”, Me OJF kuptojmë shoqatat, fondacionet dhe qendrat, veprimtaria e të cilave zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe pa u ndikuar nga shteti. Organizatat jofitimprurëse themelohen nga persona fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj dhe fitojnë personalitetin juridik pasi të jenë themeluar dhe regjistruar në gjykatë, në përputhje me kushtet dhe procedurat e parashikuara me ligj.
Cikli i jetës
1.Regjistrimi
Regjistrimi i organizatave jofitimprurëse bëhet online nëpërmjet faqes së shërbimeve elektronike e-Albania ne linkun https://e-albania.al/ServiceDetails/13938 .
Në këtë rast kërkesa e plotësuar dhe dokumentacioni përkatës do të dërgohen në mënyrë elektronike në sistemin elektronik të tatimeve të adresuara për DRT-në përkatëse, e cila do të bëjë shqyrtimin e aplikimit.
2.Ndryshimi i të dhënave
Ndryshimi i të dhënave nënkupton çdo modifikim të informacionit të regjistruar në Administratën Tatimore për organizaten jofitimprurëse , si ndryshimi/shtimi/mbyllja e adresës, ndryshimi i të dhënave të kontaktit, veprimtarisë, përgjegjësive tatimore, etj.
Ndryshimi i të dhënave bëhet nëpërmjet portalit e-Albania, sipas linkut https://e-albania.al/ServiceDetails/13939 .
3.Pezullimi i aktivitetit
Pezullimi i aktivitetit nënkupton ndërprerjen e përkohshme të ushtrimit të veprimtarisë ekonomike nga organizata jo-fitimprurëse. Gjatë periudhës së pezullimit, tatimpaguesi nuk ushtron aktivitet ekonomik, ndërsa statusi i tij pasqyrohet si i pezulluar në regjistrat përkatës.
Pezullimi kryhet kur tatimpaguesi nuk parashikon të ushtrojë aktivitet për një periudhë të caktuar, por nuk synon mbylljen përfundimtare të veprimtarisë. Në rast të rifillimit të aktivitetit, tatimpaguesi duhet të kryejë procedurën përkatëse për riaktivizimin e tij.
Kërkesa për pezullimin e përkohshëm të aktivitetit kryhet nëpërmjet portalit e-Albania, sipas linkut https://e-albania.al/ServiceDetails/13678 .
Regjistrimi i statusit “Pezulluar” në e-albania përcillet automatikisht në Administratën Tatimore.
Pezullimi i organizatës jo-fitimprurese bëhet me kërkesë të subjektit, por edhe nga Administrata Tatimore kur përmbushen kushtet ligjore.
4.Çregjistrimi
Çregjistrimi është procedura ligjore përmes së cilës organizata jofitimprurese çregjistrohet zyrtarisht nga regjistri i Administratës Tatimore, duke përfunduar ushtrimin e veprimtarisë së tij ekonomike. Aplikimi për çregjistrim kryhet nëpërmjet portalit e-Albania, sipas linkut https://e-albania.al/ServiceDetails/15526
