Taksimi i dyfishtë

Taksimi i Dyfishtë dhe Njoftimi për Zbatimin e MSHTD-së

Çfarë është taksimi i dyfishtë

Taksimi i dyfishtë manifestohet në momentin kur e njëjta e ardhur apo i njëjti fitim i realizuar nga një subjekt fizik ose juridik apo individ i nënshtrohet tatimit në dy ose më shumë juridiksione shtetërore të ndryshme për të njëjtën periudhë fiskale. Kjo situatë haset kryesisht në kontekstin e transaksioneve ekonomike ndërkufitare, investimeve direkte ndërkombëtare, ofrimit të shërbimeve transnacionale, marrëdhënieve të punësimit në dy ose më shumë shtete, si dhe në rastet e gjenerimit të të ardhurave në një shtet burimi nga individë ose shoqëri që gëzojnë statusin e rezidentit tatimor në një shtet tjetër.

Me qëllim eliminimin e taksimit të dyfishtë dhe nxitjen e qarkullimit të lirë të kapitalit, investimeve, mallrave, shërbimeve dhe fuqisë punëtore, Republika e Shqipërisë ka vendosur një rrjet të gjerë marrëveshjesh dypalëshe.

Udhëzues për përdorimin e platformës “Njoftim i Administratës Tatimore për Zbatimin e MSHTD-së”

Aplikimi për “Njoftim i Administratës Tatimore për Zbatimin e MSHTD-së” kryhet nga tatimpaguesi në llogarinë e tij në e-Filing, duke ndjekur hapat e mëposhtëm:

  1. Hapi ITatimpaguesi hyn në sistemin elektronik tatimor e-Filing.
  2. Hapi IINë rubrikën “eFiling Im”, zgjedh “Çështjet e Mia” dhe krijon një çështje të re.
  3. Hapi IIIPërcakton llojin e çështjes: “Njoftim i Administratës Tatimore për Zbatimin e MSHTD-së”.
  4. Hapi IVPërcakton llojin e të ardhurës për të cilën po kryen njoftimin për zbatimin e MSHTD-së.

Udhëzues për Formularin të ardhura të tjera

Rubrika I – Detajet e njoftimit dhe baza ligjore sipas MSHTD-së

Data fillestare e njoftimit

Data fillestare e njoftimit është data në të cilën tatimpaguesi dorëzon formularin.

Shteti

Përcaktoni shtetin për të cilin po zbatohet Marrëveshja për Shmangien e Taksimit të Dyfishtë (MSHTD).

Neni i MSHTD-së

Përcaktoni nenin përkatës të marrëveshjes, sipas kategorisë së të ardhurës për të cilën po kryhet njoftimi.

Norma tatimore

Shënoni normën tatimore të parashikuar në marrëveshjen përkatëse.

Nënkategoria e të ardhurave

Formulari i të ardhurave të tjera përfshin kategoritë e mëposhtme:

  • Të ardhura nga shërbime teknike;
  • Të ardhura nga transporti ndërkombëtar;
  • Të ardhura nga shpërblimet e drejtorëve, artistëve dhe sportistëve;
  • Të ardhura nga komisionet;
  • Të ardhura nga pensionet;
  • Të ardhura nga pedagogët, mësuesit, kërkuesit shkencorë, studentët, kursantët dhe specializantët;
  • Të ardhura nga shërbimet qeveritare;
  • Të ardhura të tjera.

Rubrika II – Informacion mbi paguesin e të ardhurave

Paguesi i të ardhurave është tatimpaguesi rezident në Shqipëri që paraqet njoftimin. Kjo rubrikë plotësohet automatikisht nga sistemi.

Nëse paguesi është person i lidhur me përfituesin e të ardhurave, ky informacion deklarohet nga tatimpaguesi.

Rubrika III – Informacion mbi përfituesin e të ardhurave

Përfituesi i të ardhurave është shoqëria jorezidente në Republikën e Shqipërisë. Të dhënat plotësohen nga tatimpaguesi sipas fushave përkatëse të formularit.

Të dhënat mbi të ardhurën

Referuar kontratës ose dokumentacionit që provon marrëdhënien kontraktore:

  • Përshkruani shkurt natyrën dhe llojin e të ardhurës së përfituar nga shoqëria jorezidente;
  • Përcaktoni mënyrën e ofrimit të shërbimit dhe nëse ka ose jo prezencë fizike të personelit të shoqërisë jorezidente në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Nëse ka prezencë fizike, do të aktivizohet tabela për deklarimin e personelit, ku për secilin punonjës duhet të plotësohen detyrimisht:

  • Numri i identifikimit;
  • Emri;
  • Mbiemri;
  • Data e hyrjes në Shqipëri;
  • Data e daljes nga Shqipëria.

Informacion mbi kontratën

Deklaroni të dhënat e kontratës ose të dokumentacionit që provon marrëdhënien kontraktore, duke specifikuar:

  • Datën e nënshkrimit të kontratës ose fillimit të marrëdhënies kontraktore;
  • Datën e përfundimit të kontratës ose marrëdhënies kontraktore.

Nëse kontrata është pa afat, përzgjidhni kutinë përkatëse. Nëse kontrata është me afat, por me të drejtë rinovimi, përcaktoni periudhën e rinovimit.

Rubrika e të dhënave të faturave

Për çdo faturë objekt njoftimi duhet të plotësohen të gjitha të dhënat e kërkuara.

Në rast se pagesa është kryer me kompensim, duhet të ngarkohet dokumentacioni që vërteton kompensimin, ku të pasqyrohen:

  • Të dhënat e faturës së kompensuar;
  • Shuma e kompensuar;
  • Data e likuidimit përfundimtar.
Shembull: Nëse fatura nr. 001, datë 01.01.2024, e lëshuar nga tatimpaguesi jorezident është kompensuar me faturën nr. 002, datë 02.02.2024, të lëshuar nga tatimpaguesi rezident në Shqipëri, dokumenti i kompensimit duhet të përmbajë numrin, datën, vlerën dhe llojin e të ardhurës për të dy faturat.

Nëse tatimpaguesi nuk ka mbajtur tatim në burim për shërbimet e marra nga shoqëria jorezidente, përzgjidhet opsioni “Jo”. Nëse është mbajtur tatim në burim, duhet të deklarohen:

  • Shuma e paguar;
  • Data e pagesës së tatimit në burim.

Komente shtesë

Kjo rubrikë përdoret për të dhënë informacion shtesë që tatimpaguesi e gjykon të nevojshëm në lidhje me njoftimin.

Dokumentacioni i kërkuar

Referojuni pikës 3.1 të Udhëzimit nr. 11, datë 23.07.2024, për kushtet dhe kriteret e dokumentacionit të kërkuar. Dokumentacioni përfshin:

  • Certifikatën e rezidencës tatimore të përfituesit të të ardhurave për vitin ose vitet kur janë përfituar të ardhurat objekt njoftimi;
  • Kontratën e lidhur ndërmjet palëve. Nëse kontrata është depozituar më parë, tregoni numrin e çështjes me të cilën është depozituar. Në mungesë të kontratës, depozitoni dokumentacion tjetër që provon marrëdhënien ndërmjet palëve;
  • Fotokopje të faturës ose faturave të lëshuara nga shoqëria jorezidente, ose dokumente të tjera që mbështesin transaksionin;
  • Dokumente bankare që vërtetojnë pagesën e faturave, si: SWIFT; urdhër-transfertë e vulosur nga banka; ekstrakte llogarie (statement); çdo dokument tjetër bankar provues.
Në mungesë të dokumentacionit bankar, duhet të ngarkohet dokumenti që provon kompensimin, ku të jenë të përcaktuara të dhënat e faturës së kompensuar, shuma e kompensuar dhe data e likuidimit përfundimtar.

Ruajtja dhe dorëzimi i formularit

Pas plotësimit të formularit, tatimpaguesi mund:

  • Ta ruajë atë si draft para dorëzimit; ose
  • Të kryejë një verifikim paraprak për të kontrolluar nëse mungon ndonjë informacion ose dokument.

Shqyrtimi i njoftimit

Shqyrtimi i dokumentacionit të “Njoftimit të Administratës Tatimore për Zbatimin e MSHTD-së” kryhet nga struktura përgjegjëse për MSHTD-të pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Kujdes

Nëse gjatë shqyrtimit konstatohet se informacioni ose dokumentacioni i paraqitur nuk është i plotë ose i saktë, sipas pikës 3.1 të Udhëzimit nr. 11, datë 23.07.2024, i ndryshuar, struktura përkatëse në DPT, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e ngarkimit të dokumentacionit, do t’i dërgojë tatimpaguesit një njoftim për plotësim ose saktësim dokumentacioni, duke specifikuar dokumentacionin e munguar ose që kërkon korrigjim.

Tatimpaguesi duhet të kryejë plotësimin ose saktësimin e kërkuar brenda 60 ditëve kalendarike nga data e njoftimit.

Nëse dokumentacioni plotësohet ose saktësohet brenda këtij afati, struktura përkatëse në DPT, brenda 30 ditëve kalendarike nga depozitimi i dokumentacionit plotësues, njofton tatimpaguesin dhe DRT-në përkatëse për rezultatin e shqyrtimit.

Nëse dokumentacioni nuk plotësohet ose saktësohet brenda afatit 60-ditor, çështja do të mbyllet në sistem me statusin “Mbyllur”. Në këtë rast, tatimpaguesi duhet të ri-ngarkojë dokumentacionin dhe data fillestare e njoftimit do të konsiderohet data e ri-ngarkimit të dokumentacionit në sistemin informatik tatimor.

E-Filing