Zgjerohen funksionalitetet në sistemet E-Filing dhe C@TS, shtohen dy kategori të reja punësimi
Administrata Tatimore ka përfunduar një zhvillim të ri në sistemet elektronike E-Filing dhe C@TS, duke mundësuar shtimin e dy kategorive të veçanta të punësimit për ndihmësit personalë të personave të verbër dhe personave me aftësi të kufizuara.
Ky zhvillim vjen në zbatim të Udhëzimit nr. 21, datë 03.11.2026, i cili sjell shtesa në Udhëzimin nr. 23, datë 09.12.2014, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, i ndryshuar.
Në përputhje me këto ndryshime, në sistemet elektronike janë shtuar dy kategoritë e mëposhtme të punësimit:
– Kategoria 44: Ndihmës personal i personit të verbër, i cili nuk është ekonomikisht aktiv dhe nuk përfiton të ardhura nga skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror.
– Kategoria 45: Ndihmës personal i personit me aftësi të kufizuara, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, i cili nuk është ekonomikisht aktiv dhe nuk përfiton të ardhura nga skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror.
Për personat që përfshihen në këto dy kategori, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore përballohen nga buxheti i shtetit.
Kategoritë e reja janë të disponueshme vetëm për subjektet me NIPT të regjistruar posaçërisht për këtë qëllim, me kërkesë të bashkive përkatëse.
Bashkitë, për qëllime të administrimit dhe deklarimit të listëpagesave për kategoritë 44 dhe 45, duhet të pajisen me një NIPT të veçantë, të ndryshëm nga NIPT-i ekzistues i bashkisë.
Për këtë qëllim, bashkitë duhet të paraqesin pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse një vendim për regjistrimin e veçantë, në të cilin duhet të përcaktohen:
– Emërtimi i subjektit;
– Administratori përgjegjës për administrimin e kësaj veprimtarie, i cili duhet të jetë punonjës i bashkisë;
– Adresa e subjektit, e cila mund të jetë e njëjtë ose e ndryshme nga adresa e bashkisë.
Pas paraqitjes së dokumentacionit, Drejtoria Rajonale Tatimore përkatëse kryen regjistrimin dhe pajisjen me NIPT të veçantë.
Administrata Tatimore sqaron se, në përputhje me ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, institucionet publike dhe entet shtetërore regjistrohen, si dhe përditësojnë ose ndryshojnë të dhënat e regjistrimit pranë Administratës Tatimore dhe jo pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB).
Regjistrimi me NIPT të veçantë, dhe jo nëpërmjet një NIPT-i sekondar të bashkisë, është i nevojshëm për efekt të administrimit dhe deklarimit të listëpagesës më vete. NIPT-et sekondare identifikojnë adresa të ndryshme të ushtrimit të veprimtarisë, të ndryshme nga selia e tatimpaguesit, por nuk përbëjnë numra identifikimi tatimorë të pavarur nga NIPT-i i subjektit dhe nuk mundësojnë mbajtjen e një listëpagese më vete.
Periudha e parë e deklarimit është muaji tetor 2026, ndërsa deklarimi dhe pagesa e kontributeve për këtë periudhë duhet të kryhen deri më 20 nëntor 2026.
Ky zhvillim është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Administratës Tatimore për modernizimin e sistemeve elektronike, lehtësimin e proceseve të deklarimit dhe përmirësimin e administrimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
